Komunikatë për shtyp 13 shkurt 2017

Presidenti Thaçi: Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin do ta ndihmojë drejtësinë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka mbledhur zyrtarët më të lartë shtetërorë, klerikët fetarë, korin diplomatik, bartësit e institucioneve të drejtësisë dhe shoqërinë civile në takimin konsultativ për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.

E hënë, 13 shkurt 2017

Presidenti Thaçi ka thënë se për të kanë qenë shumë të rëndësishme takimet që ka pasur me familjet e të pagjeturve, të të gjitha komuniteteve.

“Nga ata kam parë se janë bërë bashkë në dhimbje, kanë njohur njëri-tjetrin në dhimbjen e tyre. Ata janë familjarizuar me kauzën e tyre. Pajtimi i parë dhe më i shpejt shqiptaro-serb ka ndodhur mes familjareve të të pagjeturve. Duke e kuptuar vuajtjen e njëri-tjetrit janë bërë gati si një familje që punon për një qëllim të përbashkët, të mbylljes së kapitullit të familjarëve të tyre të pagjetur. Ata janë shembulli më i mirë për të gjithë ne të tjerët sesi duhet të kthejmë sytë kah një e ardhme duke e mbyllur kapitullin e së kaluarës”, është shprehur presidenti Thaçi.

Presidenti ka thënë se e vërteta pastron dhe çliron njerëzit, si dhe ndihmon e çon drejt pajtimit kombe e shtete.

“E vërteta shëron shoqëritë nga hakmarrja dhe urrejtja”, është shprehur ai.

Sipas presidentit Thaçi, qëllimi është nisja e një jete të re për të gjithë qytetarët, duke falur, por duke mos harruar, duke pranuar dhe njohur krimet, duke shprehur dhe deklaruar brejtje ndaj së keqes.

“Kjo nuk do ta sakrifikojë drejtësinë, por do ta ndihmojë. Pranimi i së vërtetës është thelbësor, për drejtësinë. Kjo nuk nënkupton shlyerjen e krimit, pastrim nga e keqja, apo dikush të fshihet pas padijes, gënjeshtrës, heshtjes apo fshehjes së krimit. E vërteta duhet të dihet sado e hidhur apo e shëmtuar të jetë”, është shprehur presidenti Thaçi.

Ky është fjalimi i presidentit Thaçi në takimin konsultativ për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin:

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli,

I nderuar Kryeministër i Kosovës, z. Isa Mustafa,

I nderuar ambasador Delawie,

E nderuar ambasadore Apostolova,

I nderuar ambasador Brathu,

Të nderuar ministra, ambasadorë, deputetë, miq dhe përkrahës të Kosovës,

Profesionistë të shoqërisë civile, të mediave, të botës akademike,

Zonja dhe zotërinj,

Këtë vit bëhen 18 vjet, pra gati 2 dekada, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, e nëntë vjet pavarësi.

Është e vërtetë që kemi ecur shumë që nga atëherë.

Kosova është ndërtuar. Janë ndërtuar qytetet, fshatrat, shtëpitë tona të shkatërruara. 

Janë ndërtuar institucionet demokratike dhe ato të sundimit të ligjit. 

Është themeluar policia, e cila sot konsiderohet si më e mira dhe më e drejta në Ballkan.

Në fakt, në shikim të parë, sot në Kosovë gati se nuk sheh asnjë shenjë që tregon se vetëm dy dekada më parë këtu kishte luftë.

Megjithatë, tmerret e luftës dhe dhimbja jonë për humbjet e shkaktuara, për më të dashurit tanë që janë vrarë apo janë zhdukur, nuk janë zhdukur. 

Ende shumë nëna shqiptare, serbe dhe të komuniteteve tjera kërkojnë bijtë dhe bijat e tyre. 

Ende ka hendek në mes komuniteteve dhe ky hendek ende mund të na mbajë në thellësi të urrejtjeve dhe armiqësive të shkaktuara nga lufta. 

Më lejoni të reflektoj shkurtimisht për një vizitë që pata para ca dite në Brezovicë. Aty takova shumë serbë. Disa prej tyre punonin në qendrën e skijimit, shumë prej tyre ishin të papunë. Hallet dhe brengat i kishin të njëjta sikurse bashkëqytetarët e tyre shqiptarë. 

Qytetarët e Kosovës, sipas të gjitha sondazheve që bëhen, i kanë të njëjtat brenga: vendet e reja të punës, standardin ekonomik, një jetë më të mirë për fëmijët e tyre dhe fëmijët e fëmijëve të tyre.

Besoj se pajtoheni se diçka e rëndësishme ka mbetur pa u prekur në Kosovën e pasluftës.

Dhimbja e shkaktuar nga lufta ende rëndon në zemrat dhe mendjet e secilit kosovar.

Ndasitë dhe frika që ka shkaktuar lufta ende janë gjallë.

Armiqësitë që ka shkaktuar lufta, ende janë gjallë.

Gjuha dhe fjalorët që kanë shkaktuar këto armiqësi, që kanë shkaktuar luftën, ende dominojnë diskursin tonë shoqëror.

Shoqëria kosovare dhe Ballkani në tërësi ende është peng i këtyre narrativëve të vjetër.

Është shumë e dhimbshme të shohësh që sot, edhe gjeneratat që kanë lindur pas lufte, e shikojnë palën tjetër, i shikojnë moshatarët e komunitetit tjetër, si armiq dhe si rrezik.

E jo si fqinj, si bashkëqytetarë.

Shoqëria kosovare nuk mund të ndërtojë të ardhme më të mirë nëse mbetet peng i së kaluarës.

Zonja dhe zotërinj,

Ju kam ftuar sot këtu që të prezantoj idenë time për këtë themel mbi të cilin do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.

Që të themi të vërtetën dhe të pajtohemi për të kaluarën tonë.

E mbi këtë të vërtetë dhe pajtim, pastaj të ndërtojmë të ardhmen tonë.

Unë vetë kam qenë në luftë dhe kam pa dhe përjetuar tmerret e luftës.

Kam pa shkatërrimet e luftës, urrejtjen që shkakton lufta.

Dhe në luftë kam ndërtuar bindjen që të angazhohem që të mos lejoj që ato tmerre të përsëriten më.

Për askënd.

Gjithashtu, kam parë dhe përjetuar se vuajtja është e njëjtë. Për secilin prind, për secilin fëmijë, për secilën motër e vëlla, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre kombëtare.

Nuk është vuajtja e një familjari shqiptar më e madhe sesa e një familjari serb, rom për të afërmin e tij/saj.

Si President i Kosovës, për mua kanë qenë shumë të rëndësishme takimet që kam pasur me familjet e të pagjeturve, të të gjitha komuniteteve.

Nga ata kam parë se janë bërë bashkë në dhimbje, kanë njohur njëri-tjetrin në dhimbjen e tyre. Ata janë familjarizuar me kauzën e tyre.

Pajtimi i parë dhe më i shpejt shqiptaro-serb ka ndodhur mes familjareve të të pagjeturve.

Duke e kuptuar vuajtjen e njëri-tjetrit janë bërë gati si një familje që punon për një qëllim të përbashkët, të mbyllin kapitullin e familjarëve të tyre të pagjetur.

Ata janë shembulli më i mirë për të gjithë ne të tjerët sesi duhet të kthejmë sytë kah një e ardhme duke e mbyllur kapitullin e së kaluarës.

E vërteta pastron dhe çliron njerëzit, ndihmon, lehtëson dhe çon drejt pajtimit kombe e shtete.

E vërteta shëron shoqëritë nga hakmarrja dhe urrejtja.

Qëllimi është nisja e një jete të re për të gjithë qytetarët, duke falur, por duke mos harruar, duke pranuar dhe njohur krimet, duke shprehur dhe deklaruar brejtje ndaj së keqes.

Kjo nuk do ta sakrifikonte drejtësinë, por do ta ndihmojë.

Pranimi i së vërtetës është thelbësor, për drejtësinë.

Kjo nuk nënkupton shlyerjen e krimit, pastrim nga e keqja, apo dikush të fshihet pas padijes, gënjeshtrës, heshtjes apo fshehjes së krimit.

E vërteta duhet të dihet sado e hidhur apo e shëmtuar të jetë.

Brezat e rinj duhet të dinë, çka kanë bërë brezat e mëparshëm, fëmijët të dinë për prindërit e tyre.

Besimi i ndërsjellë duhet fituar, jo duke mohuar, por duke marrë përgjegjësi.

Duke respektuar dinjitetin dhe integritetin e palëve. 

Kjo nismë dhe ky takim i parë konsultativ vjen pas shumë konsultimeve që kam bërë me liderë të pajtimit në mbarë botën, përfshirë edhe nobelistë të paqes.

Kam diskutuar dhe kam menduar shumë gjatë dhe shumë thellë sesi të fillonim një proces të tillë të mbështetjes qytetare, si të fillonim procesin e së vërtetës dhe pajtimit.

Kam takuar edhe shumë shqiptarë, serbë, boshnjakë, turq, rom, ashkali dhe egjiptianë për të diskutuar këtë ide dhe këtë koncept.

Ky forum që synoj ta themeloj nuk e zëvendëson drejtësinë.

Kompromis me drejtësi nuk do të ketë, sepse e vërteta buron nga drejtësia.

Ky forum po ashtu nuk do të jetë zëvendësim i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, por do të jetë ndihmues për arritjen e marrëveshjeve të reja për pajtim ndërshtetëror. 

Dikush mund të pyes nëse kjo që po bëjmë sot është tepër e vonshme?

Është e vërtetë që jemi vonë, por jemi të parët në Ballkan, prandaj uroj që Kosova të jetë model edhe për të tjerët.

Dikush mund të pyes nëse fillimisht ndodhë kërkimfalja, pastaj pajtimi? 

Por, të nderuar të pranishëm, e vërteta dhe pajtimi nuk arrihen me kushtëzime, mirëpo me vullnet dhe ndjenjë të mirë. 

Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin nuk kërkon ta kopjoj metodologjinë e instrumenteve tjera të asnjë vendi në botë.

Kosova dhe Ballkani kanë specifikat e veta.

Synimi ynë është të krijojmë një mekanizëm mbështetës për dialogun e brendshëm të hapur në mes komuniteteve në Kosovë për të kaluarën e dhimbshme dhe të krijojmë një bazë të shëndoshë të pajtimit.

Pajtimi nuk mund të bazohet në harresë të së keqes. 

Falja është kujtim – të kujtojmë dhe mos ta përdorim të drejtën e hakmarrjes. 

Është një shanse e dytë për një fillim të ri. Dhe të kujtojmë të kaluarën e dhimbshme është një pjesë e rëndësishme e fillimit të ri. 

Sidomos nëse nuk dëshirojmë të na përsëritet e kaluara. 

Më lejoni të shtoj se ky takim sot është i një formati konsultativ.

Është hap i parë i një rrugëtimi të gjatë.

Shpresoj në kontributin e miqve të Kosovës, komuniteteve fetare dhe tërë shoqërisë civile. 

Që në fillim, do të ndajë edhe një buxhet për nismat mbështetëse të këtij procesi nga shoqëria civile dhe do ta inkorporoj në takimet e mia në mbarë Kosovën edhe bisedën për pajtim dhe të vërtetën.

Ju ftoj të gjithëve të na ndihmoni në këtë proces.

Faleminderit!