Komunikatë për shtyp 25 maj 2017

Këshilli Konsultativ Për Komunitete

Pejë, më 25 maj 2017

Hotel Dukagjini

Kryesuesi i Këshillit, Gazmen Salijević, tre kryesuesit e grupeve punuese, z. Lendrit Qeli, kryesues Grupit Punues për Çështje të Arsimit, znj. Esin Șișko, kryesuese e Grupit Punues për Çështje të Kulturës, z. Lazar Radulović, kryesues i Grupit Punues për Çështje të Punësimit dhe Çështje Sociale, si dhe z. Adem Abazaj, zëvendës kryesues i Grupit Punues për Legjislacion, së bashku me përfaqësuesit e Komiteteve për Komunitete, Zyrave Komunale për Komunitete dhe Kthim, Nënkryetarët e Komunave për Komunitete dhe Zëvendës kryesuesit e Asambleve Komunale për Komunitete nga komunat e Prizrenit, Dragashit, Suharekës, Rahovecit, Malishevës, Mamushës, më 25 maj 2017, kanë marrë pjesë në punëtorinë e mbajtur në Pejë, të organizuar nga Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Tema e punëtorisë ishte: Sfidat dhe mangësitë e identifikuara në lidhje me funksionimin e mekanizmave komunal dhe për të propozuar mënyra për të përmirësuar dhe referuar çështjet e nivelit lokal tek mekanizmat e nivelit qendror. Në kuadër të diskutimeve të tyre përfaqësuesit e Këshillit, para përfaqësueseve të mekanizmave komunale, prezantuan secili, sipas përgjegjësisë së vetë rolin që kanë dhe punën e bërë nga ana e Këshillit dhe të grupeve punuese. Gjithashtu përfaqësuesit nga mekanizmat komunal, nga komunat e sipërpërmendura, prezantuan sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen nga fusha dhe përgjegjësit e tyre si dhe shprehën nevojën për vazhdimin dhe thellimin bashkëpunimin të mëtutjeshëm me Këshillin Konsultativ për Komunitete.