Komunikatë për shtyp 26 tetor 2017

Presidenti Thaçi mori pjesë në Konferencën Rajonale për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Njeriut dhe të Komuniteteve jo shumicë

Prishtinë, 26 tetor - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë sot në Konferencën Rajonale për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Njeriut dhe të Komuniteteve jo shumicë, e cila u organizua nga Këshilli Konsultativ për Komunitete, i cili funksionon në kuadër të Zyrës së Presidentit.

Presidenti Thaçi, i përgëzoi për këtë konferencë dhe për promovimin e dialogut për të drejtat e njeriut, me theks të veçantë tek të drejtat e komuniteteve jo shumicë.

“Kosova është një vend i qëlluar për një debat të tillë pasi është shembull i mirë i politikave për promovimin dhe akomodimin e komuniteteve shumicë. Shteti por edhe e tërë shoqëria kosovare është ndërtuar mbi parimet kushtetuese të gjithë-përfshirjes, të barazisë dhe të lirisë së secilit individ”, theksoi ai.

Ai tha më tej se Kosova ka miratuar masa adekuate për të promovuar një barazi të plotë dhe efektive ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore.

“Më saktësisht, kjo do të thotë që kemi jemi kujdesur që komunitetet jo-shumicë të jetë të përfaqësuara në institucionet politike të vendit, që të kenë të garantuar mundësinë që të mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e tyre politike”, vijoi presidenti Thaçi, duke shtuar më tej se “Kemi instaluar parimin e kuotave për punësim në institucionet publike, për t’u siguruar që komunitetet jo-shumicë marrin pjesë në punën e institucioneve publike. Kemi instaluar parimin e kuotave në universitetet publike, që t’u garantohet e drejta për shkollim të lartë të gjithëve”, pohoi ai.

I pari i vendit, tha më tej se vet Kushtetuta e Kosovës ju referohet dokumenteve më të rëndësishme ndërkombëtare që garantojnë të drejtat dhe liritë e njeriut.

Ai, më tej tha se gjithëpërfshirja dhe pjesëmarrja është një nga parimet që promovojmë në Kosovë.

“Një rol të këtillë e ka edhe Këshilli Konsultativ për Komunitetet, kur përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë kontribuojnë me ide dhe projekte për të përmirësuar jetën e komunitetit të tyre apo të të gjitha komuniteteve”, duke vijuar më tej se “Është ky një prej mekanizmave që kemi ndërtuar për të promovuar një prej vlerave kryesore që kemi ndërtuar si shoqëri dhe si shtet – dialogun”.

Presidenti i vendit tha se në Kosovë krenohemi me dialogun që kemi ndërtuar, qoftë në mes komuniteteve etnike, qoftë në mes komuniteteve fetare, qoftë me rajonin.

“Kemi konferencën INTER-FAITH që bën bashkë liderë fetarë, politikë, shkencëtarë, media, nga e tërë bota për të diskutuar për bashkëjetesën në mes të feve”, theksoi presidenti Thaçi.

Ai ndër tjera foli edhe për inicimin e themelimit të Komisionit për të Vërtetën e për Pajtim si mekanizëm për të promovuar dialogun në mes komuniteteve etnike, për të mbyllur kapitullin e konflikteve e për të ndërtuar kapitullin e paqes e bashkëjetesës.

“Jemi të përkushtuar për dialog me Serbinë që të normalizojmë marrëdhëniet, të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore”, shtoi ai.

Duke folur për marrëdhëniet e mira fqinjësore, presidenti Thaçi tha se “Promovojmë bashkëpunimin rajonal si një vlerë e rajonit dhe si mekanizëm që na shpejton rrugëtimin tonë drejt BE-së. Edhe kjo konferencë këtu është në shërbim të këtij bashkëpunimi rajonal, të dialogut rajonal, në funksion të shkëmbimit të ideve dhe përvojave më të mira për përpilimin dhe implementimin e politikave afirmative”, por që sipas tij mund të bëjmë shumë më shumë në nivel rajonal, për të përmirësuar komunikimin dhe bashkëpunimin në mes shteteve tona.

Presidenti Thaçi përmendi disa çështje këtu – lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave nëpër shtetet e rajonit.

“Për shembull, qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë lirshëm në Bosnjë e Hercegovinë dhe anasjelltas. Mallrat nga Kosova nuk mund të transportohen lirshëm nëpër shtetet e rajonit. Për të gjetur zgjidhje për këto nuk do të duhej të nevojitej ndërmjetësimi ndërkombëtar”, pohoi ai. 

Në fund, presidenti Thaçi tha se në forumet si ky sot është mirë të kërkohen zgjidhje për shembjen e mureve që ende kemi në mes nesh, “Prandaj ju dëshiroj diskutime të frytshme, të suksesshme, konkrete, që do të kontribuojë në përmirësimin e jetës të të gjitha komuniteteve, në Kosovë dhe në rajon” theksoi presidenti Thaçi.

Pas fjalës së mbajtur nga Presidenti, konferenca vazhdoj punën, me diskutimet e pjesëmarrësit si në vijim:

Z. Stefano Gnocchi, Këshilltari për Çështje Politike/ komuniteteve i Zyrës së Bashkimit Evropian.

Kryesuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete, z. Gazmen Salijević. 

Pas z. Salijević, vazhdoi pjesa e dytë e punës në konferencë me diskutuesit si në vijim:

Drejtori i Zyrës për Çështje të Komuniteteve, z. Ivan Milojević.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, z. Dalibor Jeftić.

Komisioneri për Gjuhët, z. Slaviša Mladenović.

Pjesa e tretë e konferencës ishte e rezervuar për diskutuesit pjesëmarrës nga shtetet e rajonit dhe diskutimet vazhduan sipas renditjes në vijim:

Z. Saša Milošević, Nënkryetar i Këshillit Nacional të Serbëve në Kroaci.

Z. Leon Gjokaj nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Mal të Zi.

Z. Amer Halilović, Këshilltar i Presidentit të Malit të Zi.

Z. Mirsad Džudžević, Kryetar i Këshillit Nacional të Boshnjakëve në Mal të Zi.

Znj. Ana Popović, Sekretare e Këshillit Nacional të Romëve në Mal të Zi.

Z. Sulejman Uglanin, Kryetar i Këshillit Nacional të Boshnjakëve në Serbi.

Z. Kujtim Ismaili, përfaqësues i Këshillit Kombëtar i Shqiptarëve në Serbi.

Z. Fatbardh Zenelaj, Sekretar i Përgjithshëm nga Zyra e Avokatit të Popullit në Shqipëri.

Z. Rubin Zemon, përfaqësues i Egjiptianëve në Maqedoni.

Z. Antun Belemark, Ministria pa portofol, Implemetimi i Strategjisë Nacionale të Romëve, Maqedoni.